Historiku i godinës të Prefekturës të Korçës

Godina e Prefekturës u ndërtua në lagjet e “Kasabasë”…… Themelet e ndërtesës u hodhën në vitin 1936, pikërisht në atë vend ku kishin qenë edhe më parë ndërtesat më të hershme qeveritare të kohës.
Ideja për ngritjen e një godine qeveritare madhështore, u hodh fill pas largimit të francezëve, kur Korça iu bashkua qeverisë së Tiranës, (26 maj 1920), por duket se në atë kohë ndërtimi i saj nuk ishte i mundur nga mungesa e fondeve.
Për ngritjen e godinës së prefekturës pati përpjekje të herëpashershme: Ja çfarë thuhet në një rast të tillë: “Këshilla administrative vendosi që të ngrihet një ndërtesë e madhe ku të përmblidhen të gjitha zyrat qeveritare. Por, me qenë se për ndërtimin e kësaj, arka publike jep vetëm 93.000 franga ar, dhe se për të mbushur shumën duhet të formojë një komision për të mbledhur të holla nëpër popull. Ndërtesa do të ngrihet përsëri në atë vend ku ishte hyqymeti i vjetër në kohën e Turqisë.” (Posta e Korçës, 6 shtator 1921).
Por lajmi nuk e pati jetën të gjatë, shumë shpejt u mbulua nga një heshtje e thellë e nuk u dëgjua të flitej më për katër vjet me radhë, deri sa mbërriti një lajm i ri: “Prej burimeve të sigurta lajmërohemi se për së shpejti qeveria do të ndërtojë një godinë qeveritare në qytetin tonë, në vendin ku ka qenë më parë. Për këtë qëllim do të formohet një komision nën kryesinë e prefektit. Për së shpejti do të thirren pleqësitë e katundeve të prefekturës për të gatitur listën e ndihmave dhe materialet që mund t’i dhurohen qeverisë.” (“Zëri i Korçës”, e martë 4 gusht 1925).
Në vitin 1936 situatën e mori në dorë prefekti Kryeziu: “Me iniciativën e prefektit z. Ismet Kryeziu, pardje u bë një mbledhje e gjerë për çështjen e ngritjes së godinës qeveritare në këtë qytet. Pas shpjegimeve që dha zoti prefekt mbi dobinë e madhe të kësaj vepre, për të cilën ka siguruar edhe një shumë të hollash nga shteti, mbledhja pranoi me duartrokitje propozimin e zotit prefekt dhe u formua një komision për të mbledhur ndihma. Në fushatën e ndihmave do të marrë pjesë i tërë qarku. Iniciativa e zotit prefekt meriton tërë lavdërimet se ndërtimi i një godine qeveritare ku të përmblidhen të gjitha zyrat është një lehtësi e madhe për popullin dhe më anën tjetër edhe qyteti do të zbukurohet me një godinë madhështore. Prandaj jemi të sigurtë se populli nuk do të kursejë ndihmat, por me kënaqësi do të përgjigjet për ngritjen e godinës qeveritare”. (“Gazeta e Korçës”, 9 janar 1936).
Ndihmat që po jepeshin për ngritjen e Godinës qeveritare ishin të shumta. Ra në sy gjithashtu se tregtarët e “Kasabasë” po jepnin shuma të mëdha në franga ari.
Shtypi e përshkruante kështu këtë situatë: “Komisioni i posaçëm për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e godinës qeveritare po vazhdon punën me aktivitet. Përditë janë duke u mbledhur ndihma të reja në të holla, kështu që tani projekti i ngritjes së godinës qeveritare po i afrohet realizimit. Nga ana tjetër po mblidhen ndihma të tjera materiale në lëndë të ndryshme që kanë premtuar të japin katundet e ndryshme të qarkut. Katundi Mborje, i cili ka premtuar 1500 rraba gurë, ka sjellë gjer tani 500 rraba. Për së shpejti do të fillojnë dhe katundet e tjera të sjellin ndihmat e tyre materiale si gërqele, qereste druri etj”. (“Gazeta e Korçës”, e martë 10 mars 1936).
Më në fund mbërriti edhe dita kur në themelet e godinës qeveritare do të vendosej guri i parë. “Me ceremoni të posaçme u bë sot në mëngjes hedhja e gurit të parë të themeleve të godinës qeveritare, që do të ngrihet në këtë qytet dhe që do të përmbledhë të gjitha zyrat qeveritare. Nga kryeqyteti kishte ardhur apostafat shkëlqesia e tij, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Et’hem Toto me zonjën dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Ing. Qemal Butka, i cili ka përgatitur dhe planin e ndërtesës madhështore. Prefekti Mark Kodheli mbajti një fjalim të rastit mbi rëndësinë e ngritjes së ndërtesës qeveritare dhe duke falenderuar, kujtoi të gjashtë dëshmorët, të cilët në vitin 1911 lanë jetën e tyre në atë vend ku sot po ngrihet godina. Përmendi edhe ish-prefektin z. Ismet Kryeziu, i cili mori iniciativën e ngritjes së godinës. Fjalimi i z. prefekt u mbulua me brohoritje për L.M.T. Mbretin Zog…” (“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 gusht 1936).
“Pastaj e mori fjalën shkëlqesi e tij, ministri z. Toto, shkruan “Gazeta e Korçës”, i cili çfaqi kënaqësinë e tij të madhe për hedhjen e gurit të parë të themelive të kësaj ndërtese madhështore në qytetin më të bukur të Shqipërisë.
Pastaj z. Toto vuri gurin e parë të themelive dhe ceremonia mori fund, duke u drejtuar të gjithë në qoshkun e kopështit “Senije Zogu”, ku ishte përgatitur bufeja e pasur me birra e meze të zgjedhura. Në kohën e ceremonisë asistuan në vend konsujt e huaj, autoritetet civile e ushtarake dhe gjithë nëpunësit e ndryshëm dhe një shumicë populli. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 gusht 1936)

NDER E RESPEKT PËR TË GJITHË ATA QË KONTRIBUAN:

Ndihmat e ardhura nga fshatrat e krahinës:
Melçani dhuroi 140 franga ari,
Biranj 180,
Vinçani 431,
Dvoran 358,
Voskop 925,
Pendavinj 233,
Nizhavec 164,
Kreshpanj 79,
Plasë 387,
Zëmblak 854,
Podgorie 424,
Pojan 1234,
Zvezdë 700, dhuruan edhe 15.000 ok gërqele,
Pirg 161,
Libonik 147,
Çaushli 160,
Kolanec 189,
Sovjan 124,
Zvirinë 48.
Bickë 57,
Senishtë 43,
Plovisht 35.50,
Leminot 38,
Symizë 26,
Gocë 17.80 franga ari, etj.