U zhvillua sot në mjediset e Prefekturës takimin e parë të Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qëndrore e vendore me ekspertin e qeverisë franceze, z. Jérôme Lebars, që tashmë është i atashuar në institucionin e Prefekturës, për të punuar lidhur me projektin e çeljes së Liceut Francez në Korçë, një kërkesë e Kryeministrit Rama që u mirëprit nga Presidenti Macron, në vizitën e tij në vendin tonë.

Në këtë takim morën pjesë të gjithë anëtarët e tjerë të këtij komiteti, si përfaqësuesja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj. Zamira Gjini, Kryetari i Bashkisë Korçë z. Sotiraq Filo, Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Erjon Nexhipi, Drejtoresha e DRAP znj. Vinjola Rota, Presidenti dhe Drejtoresha e Aleancës Franceze, z. Ilia Skëndi dhe znj. Fabjola Kadi, Zv/Rektorja e Universitetit “Fan S. Noli” znj. Aida Mosko, nëndrejtoresha e gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në Korçë, znj. Tefta Ndini dhe historiani Niko Kotherja.

Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga Kryeministri, institucioni i Prefektit do të mbështesë ekspertin francez dhe do asistojë nga afër procesin, si edhe do të sigurojë ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qëndror dhe vendor.

Ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve tona dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut tonë e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin këtë shkollë për arsimin e tyre të mesëm, duke i krijuar vetes mundësinë edhe për studime universitare në Francë.