Sezoni veror në qarkun tonë regjistroi flukse domethënëse turistësh, duke reflektuar trendin e përgjithshëm në rang vendi.

Me përfundimin e disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën e qarkut, rriten premisat për shtimin e investimeve të reja dhe flukseve në të ardhmen.

LAJM I MIRË është fillimi i procesit të konsultimeve të para me aktorët e qarkut, për hartimin e “Masterplanit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit” për rajonin tonë. Ky projekt bashkëfinancohet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Konsultimi do të jetë i gjerë, me aktorë institucionalë e jo vetëm, si Këshillin dhe bashkitë e qarkut, Universitetin “Fan S. Noli”, sipërmarrje të suksesshme në sektorin e turizmit & agro-turizmit, për të huazuar modele të mira nga Franca, të përshtatura me kontekstin tonë.

Institucioni i Prefektit të Qarkut ka hartuar Planin e Masave për administrimin e sezonit turistik dimëror 2025-2026, për detyrat konkrete që duhet të zbatojnë të gjitha institucionet e ngarkuara, edhe në frymën e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Turizmit.

Një sinergji akoma më produktive mes aktorëve të përfshirë në zinxhirin turistik brenda rajonit, do të kontribuonte në mënyrë cilësore e sasiore, në përmbushjen e objektivit të përcaktuar nga qeveria, që Shqipëria 🇦🇱 të jetë kampione e turizmit në Ballkan deri në vitin 2030.

✅️ Qarku ynë i ka të gjitha karakteristikat e potencialin për t’u konsideruar rajon që ofron turizëm gjithëvjetor, të pasur me atraksione natyrore, historike e kulturore, si dhe me një kulinari tradicionale unikale, shoqëruar me shërbime cilësore e në përputhje me standartet e kërkuara.